Vrasja mizore e Liridona Ademajt, krim ky që tronditi vendin para disa javësh po vazhdon të hetohet, ndërkohë që pistat po zgjerohen dhe akoma nuk është konfirmuar motivi i rastit tragjik.
Tre persona ndodhen në paraburgim, teksa i dyshuari i fundit u arrestua sot nga Policia. Naim Murseli – burri i të ndjerës ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku para disa ditësh e ka vizituar babai i tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht versionin e Murselit, i cili u përballë për herë të parë me babin e tij, i cili pas arrestimit, përmendi hakmarrje.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Shaban Murseli ka deklaruar se gjatë vizitës qe i ka bërë Murselit, ky i fundit e ka akuzuar Policinë e Kosovës për keqtrajtim.
Në mes të tjerash ai tha se Murseli i ka rrëfyer një version krejt tjetër për dallim nga ajo qe ka dalë në media, duke pretenduar se ka edhe “dëshmi të forta”.